Erisa Xhixho: Konstituimi i këshillit bashkiak të Tiranës ishte një shfaqje e shëmtuar

0
Erisa Xhixho: Votimet e 30 qershorit do ti ndalim me çdo kusht

Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho, e cilëson si shfaqje të shëmtuar deri në neveri atë të konstituimit të këshillit bashkiak të kryeqytetit, ku mori pjesë dhe vetë kryeministri Edi Rama.

Sipas Xhixhos, është turp dhe skandal i madh që konstituohet një këshill bashkiak monopartiak dhe e gjithë farsa e ideuar dhe realizuar në funksion vetëm të Edi Ramës.

Reagimi i Erisa Xhixhos

E njëjta shfaqje e shëmtuar deri në neveri siç ne fakt janë të gjitha shfaqjet publike të Edi Ramës, ishte edhe farsa e konstituimit të këshillit bashkiak të kryeqytetit, çka tregon fare qartë se si ky njeri ka sëmundjen e kapjes së shtetit, përmes uzurpimit të të gjitha pushteteve.

Turp e skandal i madh që konstituohet një këshill bashkiak monopartiak dhe e gjithë farsa e ideuar dhe realizuar në funksion vetëm të Edi Ramës.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë jo pa qëllim i ka dedikuar një kapitull të veçantë qeverisjes vendore pasi në frymën që ajo përçon pushteti qendror e lokal janë të ndarë.

Dua të sjell në vëmendje gjithashtu që këshilli bashkiak ka pasur gjithmonë traditën që mbledhja e parë e konstituimit të Këshillit të ri të drejtohej nga këshilltari më i vjetër i tij, po kjo traditë u shkel sot nga më i vjetri në mendësi Kryeministri Rama.

Gjithashtu ligji i vetqeverisjes lokale parashikon se njësitë e vetëqeverisjes vendore rregullojnë dhe administrojnë ushtrimin e funksioneve të veta në mënyrë të plotë dhe të pavarur, në përputhje me Kushtetutën, Kartën Europiane të Autonomisë Vendore dhe ligjet në fuqi.

Por sot nuk ka më vlerë të flasim për autonomi, pavarësi të pushtetit lokal ku arroganca e kryeministrit Rama shkon deri aty sa e tregon hapur se kush e drejton faktikisht Bashkinë e Tiranës.

Unë e refuzoj këtë diktaturë të re dhe si unë sot janë 85% e shqiptarëve që refuzuan votimet monopartiake të 30 Qershorit.