E BUJSHME: Dyshime të forta se në spitalet e Prishtinës janë transplantuar organe të jashtëligjshme

0
E BUJSHME: Dyshime të forta se në spitalet e Prishtinës janë transplantuar organe të jashtëligjshme

Katër spitale private janë bastisur muajt e fundit në Prishtinë nën dyshimin se aty janë transplantuar organe dhe qeliza njerëzore jashtëligjshëm. Inspektorati shëndetësor ua ka ndërprerë përkohësisht punën këtyre reparteve brenda spitaleve.

Nora Krasniqi, ushtruese e detyrës së kryeinspektorit shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, i tha Radios Evropa e Lirë se gjatë inspektimeve në këto spitale private, kanë hasur në veprimtari të kundërligjshme, gjë që ka ndikuar që reparteve të caktuara brenda spitaleve t’u ndërpritet puna përkohësisht, derisa materiali i ngrirë, pra qelizat njerëzore, janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Klinikën Gjinekologjike për t’u ruajtur.

“Inspektorati shëndetësor, së bashku me Policinë e Kosovës, ka kryer inspektime në disa spitale private shëndetësore të licencuara për ofrimin e shërbimeve nga fusha e fertilizimit mjekësor. Qëllimi i inspektimeve ka qenë mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për shëndetin riprodhues. Në këto institucione janë konstatuar shkelje të Ligjit për shëndetin riprodhues në bazë të të cilit, Inspektorati shëndetësor ka shqiptuar masën e ndërprerjes së përkohshme të ushtrimit të veprimtarisë në këto institucione”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka vendosur masa tjera ndaj personelit shëndetësor në këto shërbime në përputhje me rregullativën ligjore të Policisë.

Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës tha se Departamenti i Hetimeve të Trafikimit me Qenie Njerëzore, gjatë inspektimit në spitale private, ka hasur në vepra penale, transplantim i kundërligjshëm dhe trafikim i organeve dhe qelizave njerëzore.

Rreth 200 institucione private shëndetësore, pa licencë

Lidhur me këtë janë arrestuar 17 persona nën dyshimin e veprave të lartcekura, ku në mesin e tyre, përpos shtetasve kosovarë, ka pasur edhe nacionalitete të tjera.

“Rasti ka të bëjë me klinika private ku dyshohet për kryerje të veprave penale të transplantimit të kundërligjshëm dhe trafikim i organeve dhe qelizave njerëzore, bashkëkryerje dhe trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor. Në këto raste, të ndara, janë të dyshuar gjithsej 17 persona. Këto raste janë realizuar në bashkëpunim me Inspektoratin shëndetësor në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe me vendim të inspektorëve janë mbyllur repartet e IVF-së. Ndaj të dyshuarve është ngritur kallëzim penal dhe rasti është duke u hetuar”, bëri të ditur Kelani.

Ndërkohë, avokati i njërit nga këto spitale private, Besnik Berisha, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se nuk ekziston asnjë provë që e vërteton se ka pasur keqpërdorim të qelizave apo embrioneve.

Rasti “Medikus” e lë Kosovën pa Ligjin për transplant të organeve

Ai thekson se e gjitha që kanë parë në procesverbale të Inspektoratit shëndetësor, kanë qenëdisa lëshime teknike që lidhen me mbajtjen e evidencave, deklaratave paraprake apo nënshkrimeve.

“Mjekët janë arrestuar me dyshimin për keqpërdorim të qelizave dhe embrioneve, por që të gjitha janë të pabazuara. Prokuroria as vetë nuk e dinte se pse janë shoqëruar mjekët në Polici, meqenëse të vetmen provë që e kishin ishte procesverbali i Ministrisë së Shëndetësisë, e që aty thuhej se kishte telashe me mbajtjen e evidencave në përputhje me instruksionet e udhëzimit administrativ”.

“Pra, Inspektorati shëndetësor nuk ka konstatuar as edhe një trafikim ose tregtim të qelizave apo keqpërdorim të atyre embrioneve, mirëpo ishin konstatuar defekte në dosje, pra probleme administrative, siç janë mungon një nënshkrim, konfirmim apo të ngjashme. Nuk ka pasur as bastisje, por ka pasur një marshim të Prokurorisë me gjasë jo e motivuar nga provat, por për motive tjera që mbetet t’i shohim në të ardhmen’’,u shpreh Berisha.

Sidoqoftë, rastet janë në procedurë të hetimit dhe mbetet të shihet se si do të trajtohen ato edhe nga gjykata