Dyshimet mbi faturimin online çon në shtyrjen e afatit tē implementimit

0

Qeveria është shprehur e gatshme për të shtyrë hyrjen në fuqi të ligjit të ri për faturat elektronike. Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj deklaroi në mbledhjen e sotme të Këshillit të Investimeve se janari i 2020 i vendosur si afat për nisjen e raportimit në kohë reale në administratën tatimore të të gjitha transaksioneve midis bizneseve dhe konsumatorit në kuadër të luftës kundër informalitetit mund të negociohet pas dyshimeve që janë ngritur.

Ministrja theksoi se objektivi kryesor i projektligjit është ulja e informalitetit në ekonomi, ndërkohë që synohet përmirësimi i administrimit tatimor me qëllim mbledhjen efikase të të ardhurave dhe lufta kundër konkurrencës së pandershme, prandaj sipas saj mund të pritet dhe disa muaj më shumë nga afati i paracaktuar.

“Objektivi i këtij projektligji synon thjeshtimin e procedurave të kontrollit tatimor dhe monitorimin më eficent të tatimit, drejtuar ndaj tatimpaguesve me risk; një kontroll më të mirë të transaksioneve tregtare ndërmjet taksapaguesve; një kontroll më të mirë dhe monitorim të afateve të pagesave ndërmjet tatimpaguesve; si dhe përshpejtimin dhe automatizimin e proceseve të biznesit”, u shpreh Denaj.

Përsa i përket shqetësimit të shprehur gjatë konsultimit lidhur me afatet e parashikuara për implementimin e procesit të Fiskalizimit, Ministrja tha se MFE mbetet e hapur për të diskutuar mbi arsyet dhe për të neogociuar, ndërsa ftoi anëtarët e Këshillit të Investimeve të diskutojnë për pika dhe nene konkrete të draftit, të cilat mund të kenë nevojë për ndryshime apo për sqarime më të detajuara.

“Procesi i implementimit të projektit të Fiskalizimit nuk është vetëm janari 2020, por është një proces më i gjatë që finalizohet në vitin 2021 dhe përfshin disa marrëdhënie: marrëdhëniet biznes me klient, marrëdhëniet biznes me biznes dhe transaksionet jo cash që kalojnë nëpërmjet sistemit bankar, dhe marrëdhëniet biznes me qeveri, me synimin që gjitha faturat të jenë elektronike në vitin 2021. Kuptohet që janari 2020 është komentuar si një proces pak dyshues. Ne mendojmë që gjithsesi do të synojmë për këto hapa dhe gjatë konsultimeve në vijim të shikojmë se kush janë arsyet për ta negociuar”, u shpreh Ministrja.

Komentet e marra nga Këshilli i Investimeve dhe grupet e tjera të interesit do të shqyrtohet në kuadër të përgatitjes së version final të projektligjit, para se të dërgohet për diskutim në komisionet parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë