Detaje rrënqethëse zbulohen nga ngjarja e rëndë ndodhur në Librazhd

0
Detaje rrënqethëse zbulohen nga ngjarja e rëndë ndodhur në Librazhd

Dalin në dritë të tjera detaje të rënda nga krimi makabër, ku 53-vjeçari Daut Gjokola masakroi me thikë gruan e tij Luljeta Gjokola. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 22:20 në lagjen ‘Shkumbini’ në Librazhd.

Mësohet se çifti Daut dhe Luljeta Gjokola janë parë nga fqinjët të ngjiten të qetë në ashensorin e pallatit ku kishin apartamentin, ndërkohë që djali i tyre, Eduard Gjokola, 26 vjeç ka shkuar në banesë pak pas orës 22:00.

Burime nga grupi hetimor thanë se djali rezulton të ketë mbërritur në banesë si zakonisht dhe nuk ka kuptuar se me prindërve kishte ndonjë tension.

Ata kanë qenë në dhomën e tyre të gjumit kur ai nga kuzhina ku ndodhej duke parë televizor ka dëgjuar ulërimat e nënës së tij. I alarmuar ka hyrë në dhomën e prindërve dhe aty ka gjetur nënën e mbuluar me gjak dhe që të dy ulërinin për ndihmë.

Zhurmat e mëdha kanë alarmuar fqinjët, të cilët kanë ndërhyrë për ndihmë dhe kanë njoftuar policinë. Ata (fqinjët) janë përballur me krimin monstruoz, ndërsa menduan se gruaja kishte pësuar ndonjë aksident dhe e kanë transportuar në urgjencë.

Ndërkohë që djali i çiftit në një gjendje të rënduar psikologjike i binte murit me kokë.

(Aktualisht gjendja e 26-vjeçarit është e rënduar psikologjikisht dhe ka qenë e pamundur marrja e tij në pyetje).

Vetëm pak minuta më vonë në banesën ku ndodhi ngjarja ka mbërritur policia, e cila ka gjetur në dhomën e gjumit djalin me babain, ndërkohë që ky i fundit sapo ka dëgjuar emrin e tij ai nuk është përgjigjur.

Në një gjendje shoku, Daut Gjokola ka bërë disa hapa pas dhe ka hapur derën e ballkonit dhe është hedhur nga kati i 4. 53-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Aktualisht policia po heton në lidhje me ngjarjen e rëndë, ku shkaqet e saj ngelen ende mister (Nuk përjashtohen shkaqet për xhelozi mes çiftit).