Basha nis fushatën dhe pasqyron dështimet e qeverisjes Rama

0
Basha nga Gjirokastra: Rama investitorët e huaj i zëvendësoi me klientët e tij

Mund të thuhet se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka nisur zyrtarisht fushatën, duke shpalosur programin politik të forcës që drejton në kuadrin e turit të takimeve me strukturat lokale të demokratëve përreth vendit.

Ndalesa e radhës ka qenë qyteti i Tepelenës, ku kreu i opozitës solli në vëmendje premtimet sipas tij të pambajtura të qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke u përqendruar në mënyrë të veçantë tek sloganet “shëndetësia falas” dhe “300 mijë vende pune”. “Rama premtoi shëndetesine falas për shqiptarët, por sot shqiptarët paguajnë më shumë se kurrë për shëndetësinë, sepse ai ua dha shëndetësinë me koncesion oligarkëve. Rama premtoi shëndetësinë falas, por shqiptarët sot duhet të të paguajnë shtrenjtë në spitalet e shtrenjta private që sot kontrollohen të gjitha nga një-dy persona në të gjithë Shqipërinë. Premtoi 300 mijë vende pune, por përzuri nga vendi më shumë se 300 mijë shqiptarë”, është shprehur Basha.

Basha vuri në dukje edhe premtimin për uljen e taksave, që sipas tij nuk u përmbush nga kryeminstri Rama, që “i rriti ato për më të varfrit dhe i uli për të pasurit, duke favorizuar oligarkët dhe duke falimentuar tregtarët e vegjël”. “Sot kriza ekonomike është problem numër 1 për çdo familje shqiptare, ndaj dhe prioriteti numër 1 për ne demokratët është t’i japim zgjidhje problemeve jetike për çdo shqiptar. Ta bëjmë këtë një orë e më parë dhe të ndalim zbrazjen e vendit, spastrimin e Shqipërisë nga shqiptarët e ndershëm, projektin më të zi të Edi Ramës”, theksoi në Tepelenë kreu i opozitës.