Basha nga Pogradeci: Sot papunësia është në nivelet më te larta

0
Basha nga Pogradeci: Sot papunësia është në nivelet më te larta

Lideri i opozitës Lulzim Basha tha se dërgimi i policisë në dyert e biznesit është kriminal, njësoj si çdo politikë fiskale dhe ekonomike që ka ndërmarrë kjo qeveri.

Gjatë një takimi në Pogradec, zoti Basha foli për krizën e mbledhjes së të ardhurave nga qeveria si një sëmundje e përkeqësuar dukshëm pas vitit 2014. Kreu i opozitës tha se taksat e rritura dhe favorizmi i paligjshëm i klientëve te Ramës janë dy nga faktorët kryesorë që kanë penalizuar biznesin.

“Ndërsa  bizneset e vogla dhe të ndershme goditen me policë dhe me taksa të larta, miqtë e qeverisë, klientët e saj dhe oligarkët e Ramës gëzojnë ligje speciale për ulje taksash”, u shpreh Basha, i cili renditi 3 pasojat më të rënda për ekononinë e shqiptarëve:

1. “Sot biznesi i vogël ka ulur qepenat, i falimentuar nga TVSH 20 perqind.
2. Sot papunësia është në nivelet më te larta, sepse bizneset po mbyllin dyert prej konkurencës së pandershme dhe taksave të larta.
3. Sot konsumi është në minimum, sepse shqiptarët janë më të varfër.

“Kryeministri që përdor policinë për të grabitur zgjedhjet e për të mbajtur pushtetin, që e dërgon në dyert e biznesit, që policinë e ka kthyer në kompani private nën shërbimin e tij personal, nuk e ka jetën politike te gjatë. Fundi i këtij shteti policor është i afërt dhe është zotimi im si kryetar i Partise Demokratike për të hequr kërbaçin nga biznesi e për të rikthyer konkurencën e lirë”, vijoi kreu i PD-së.

Lideri i opozitës u kërkoi demokratëve në të gjithë Shqipërinë të informojnë qytetarët për 3 shtyllat kryesore të  platformës probiznes të Partisë Demokratike.

1. Biznesi do të ketë një pullë fiskale që tregon që janë kryer detyrimet ndaj shtetit dhe e asnjë zyrtar shteti nuk do të abuzojë me kontrollet ilegale. Asnjë polic nuk do guxojë të dhunojë biznese dhe sipërmarrje.

2. Ne do të ndërmarrim nismën e uljes së taksave për bizneset dhe për të përmiresuar klimën e biznesit në vend.

3. Taksa 9% mbi të ardhurat dhe tatim fitimin, si dhe shmangia e patrullave gjobëvënëse, taksë 0 për biznesin e vogël. Një paketë e plotë incentivash fiskale në shërbim të biznesit dhe investitorëve.

Lulzim Basha vijoi më tej duke u shprehur se, PD beson tek tregu i lirë, tek shpirti sipërmarrës dhe se, bashkë me qytetarët, do të punojmë së bashku për një Shqipëri të begatë.