Basha nga Maliqi: Zgjedhjet e parakohshme janë të pakthyeshme

0
Basha nga Maliqi: Zgjedhjet e parakohshme janë të pakthyeshme

Gjatë takimit me strukturat drejtuese të PD në Maliq, kreu i opozitës Lulzim Basha bëri Edi Ramën përgjegjës për rritjen e papunësisë dhe varfërisë nëpërmjet politikës së tij të grabitjes, vjedhjes dhe abuzimit me pushtetin.

“Shqiptarët janë pa punë, sepse ekonominë dhe mundësitë ekonomike i kanë marrë oligarkët dhe klientët. Paratë e shqiptarëve po i vjedh Edi Rama me familjen dhe miqtë e tij.  Pasurohen të pushtetshmit dhe klientët e Ramës, varfërohen njerëzit e thjeshtë dhe të pambrojtur”-tha zoti Basha, i cili vuri në dukje se 1 në 3 shqiptarë nuk ka mundësi të ushqehet për shkak të vjedhjes dhe shpërdorimit për luks të parave publike nga Edi Rama dhe qeveria e tij.

“Edi Rama i shpërfill shqiptarët, dhunon të pambrojturit e të varfërit dhe u shërben të fortëve dhe oligarkëve. Ai është arrogant me njerëzit e thjeshtë, me intelektualët, me artistët, por është i përulur para kriminelëve dhe oligarkëve”, deklaroi lideri i opozitës.

“Edi Rama është artist i mashtrimit. Çdo gjë që ka premtuar, ka qenë mashtrim, pasi qëllimi i tij i vetëm është të vjedhë. Çdo projekt, program dhe politikë është mashtrim për shqiptarët, në shërbim të tij dhe oligarkëve”, shtoi Basha.

Duke iu referuar refuzimit të Edi Ramës nga 85% e shqiptarëve më 30 Qershor, zoti Basha vuri në dukje se ky ishte bashkimi më i madh qytetar për të refuzuar varfërinë, papunësinë dhe ekonominë e shkatërruar prej hajdutërisë, kriminalitetit dhe paligjshmërisë së Edi Ramës.

“Kjo është një qeveri që noton në paligjshmëri, sepse ka ardhur nga paligjshmëria. – u shpreh Basha. – Beteja popullore, e organizuar nga opozita, vetëdijësimi kombëtar dhe kurajo për t’u përballur, e ka bashkuar shumicën “Rama ik” në vendimin e pakthyeshëm popullor për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe në të njëjtën ditë për të zgjedhur, sipas Kushtetutës, edhe pushtetin vendor, kryetarët e Bashkive dhe këshillat bashkiakë”, deklaroi në Maliq Kryetari i PD, Lulzim Basha..