Atalanta ndal në barazim Juventusin e Massimiliano Allegrit

0
Atalanta ndal në barazim Juventusin e Massimiliano Allegrit

Juventusi i Massimiliano Allegrit ndalet në Bergamo por edhe aty tregon se është një skuadër e madhe.

Bardhezinjtë edhe pse luajtën për gati një pjesë loje me një lojtar më pak dhe e nisën ndeshjen pa Ronaldon në formacionin titullar arritën të merrnin një barazim 2-2 duke ruajtur pathyeshmërinë në kampionat dhe duke vijuar marshimin drejt titullit të 8-të radhazi në Serie A.

Juventusi gjeti shumë shpejt avantazhin që në minutën e 2-të me një autogol të Berat Gjimshitit me mbrojtësin e kombëtares shqiptare që ishte i pafat në devijimin e tij duke mos i dhënë asnjë mundësi për të reaguar Etrit Berishës. Megjithatë e shtyrë edhe nga mbështetja e fortë e publikut vendas në Bergamo, Atalanta reagoi dhe gjeti golin e barazimit me Duvan Zapatan i cili pasi shmangu Bonuccin goditi bukur nga limitet e zonës duke i çuar shifrat në 1-1.

Në minutën e 53-të, Juvja mbeti me 10 lojtarë pasi Bentancur mori kartonin e dytë të verdhë. Nuk vonoi shumë dhe Atalanta përfitoi nga inferioriteti numerik i bardhezinjëve duke realizuar sërish me Zapatan. Në këtë moment reagoi Allegri që hodhi fillimisht në fushë boshnjakun Pjanic dhe disa minuta më pas Cristiano Ronaldon. Me kalimin e minutave edhe pse me një lojtar më pak kampionët e Italisë fituan shumë terren me Atalantën që ndjeu lodhjen. Në minutën e 78-të Ronaldo i shërbyer nga Mandzukic brenda zone realizoi me kokë duke barazuar shifrat në 2-2, rezultat që nuk ndryshoi deri në fund. Ky ishte goli i 12-të në këtë sezon të Serie A për yllin portugez.

Duelin mes dy vëllezërve e fitoi Simone Inzaghi me Lazion që mposhti 2-0 Bolognan në transfertë falë golave të Luiz Felipes dhe Lulic, duke ruajtur vendin e 4-t. Nëse Filipo Inzaghi shkarkohet nga stoli i skuadrës kuqeblu pas kësaj humbjeje atëherë fajin duhet ta mbajë vëllai i tij i vogël, Simone.

Zhgënjeu Fiorentina që u mposht 0-1 në shtëpi nga Parma me Inglesen që shënoi golin e vetëm të sfidës. U ngjit në vendin e 5-të të renditjes Sampdoria falë suksesit 2-0 ndaj Chievos ndërkohë që Cagliari kaloi 1-0 Genoan.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here