Artur Zheji: Meta mund të ketë një kartë “anti- Rama”

0
Artur Zheji: Meta mund të ketë një kartë

Analisti Artur Zheji ashtu si shumë të tjerë është përfshirë në debatin e fundit mbi mosdekretimin e Lleshit si ministër të Brendshëm. Ai flet për një kartë të fshehtë që Meta mund tia ketë treguar Ramës në takimin 90 minutësh që patën të dielën.

Shkrimi i Zhejit

Kush mendonte se Ilir Meta ishte bërë alpinist, e kuptoi shpejt që gabohej. Kush gjykonte se Meta, do të vijonte nga Malet me blerim mbuluar, në malet me dëborë, të Veriut apo të Jugut të Shqipërisë, ka ngelur këto orë i zhgënjyer dhe me gisht në gojë.

Shkarkimi arrogant që Rama, i bëri Fatmir Xhafës, ka lënë mbresa të thella gjithkund, por nuk e ka lënë pa një mbresë edhe Presidentin, që dekretoi shkarkimin e tij për vetëm 60 minuta, nga njoftimi i Kryeministrit.
Veprimi, përsëri arrogant, që kryeministri kreu për emërimin e Gjeneral Lleshit, nga zyra modeste e këshilltarit, në zyrën e ministrit të superfuqishëm të brendshëm, e gjeti Metën në zyrë, në kthim nga Viena, ku takoi presidentin austriak, në kthim nga vizitat në Gjermani dhe në kthim, nga një darkë solemne në Firence me Kardinal Troshanin…

Pavarsisht se u duk që kryeministri e kopsiti apo e arrnoi me shpejtësi, të çarën e thellë që u hap në Ministrinë e Brendshme, me personin e Lleshit, të shndrruar në një super të besuarin e tij, presidenca, ngriti fillimisht një filtër, e më pas një mur, që ndalonte gjeneralin, në dyert e jashtme të ministrisë së trazuar.
Pas shpërthimit të inatit fillestar kryeministror, që vonoi paraqitjen përpara Presidentit të gjeneral Lleshit për plot 24 orë, Ai, kryeministri, e dërgoi Lleshin në Presidencë te Meta, porse ishte vonë dhe Lleshi thjesht u njoftua se nuk e kalonte as filtrin dhe as murin kushtetues të Presidentit.

***

Pasi ftoi armatën rilindase të heshtëte, Kryeministri, i vetëshpallur shahist, ja mësyu vetë në Presidencë, për një seancë të drejtëpërdrejtë negociate me Metën, ashtu si në kohët e shkuara të bashkëqeverisjes.
Porse ai, doli me buzëqeshjen e shtirur në buzë, me dilemën të shpallte apo të mosshpallte një luftë të hapur ndaj presidentit.

Për të rrëzuar Presidentin, do t’I duheshin mbi 90 vota në Kuvend dhe megjithë shitshmërinë më pjellore, kjo është një shifër e pambritshme.

Cilat këshilla do të dëgjojë në këtë rast kryeministri, “Shahist” i vetëshpallur, hapjen e një lufte frontale politike kundër presidentit?

Duket se Meta është gati për këtë, përndryshe nuk e la Sandër Lleshin në stolin e zëvendësministrave të komanduar nga kryeministri.

Porse në mungesën e plotë të një Gjykate Kushtetuese, në mungesën e një Gjykate të Lartë të shpartalluar, atij, i mbetet vetëm Kuvendi dhe sulmi mediatik që sapo ka filluar!

Mirëpo, përse në rastin e bllokimit të prerë të Marrëveshjes së Detit me Greqinë, nga ana e Presidentit, Kryeministri vetëm heshti?

Sepse, të dy, në kohë dhe në vende të ndryshme, edhe Kryeministri edhe Presidenti, shprehën forcën apo këshillën e një forcë te Tretë, strategjike dhe Mike.

Po në rastin e Sandër Lleshit, në konsultimin shumëditor të Metës me shërbimet tona inteligjente dhe fije të tjera, a mos kemi përsëri të njejtën trysni, edhe ndërkombëtare?

Por ndoshta Presidenti, në takimin 90 minutësh, mund ti ketë zbuluar ndonjë kartë të fshehtë Kryeministrit dhe kjo do të duket, nëse do të mjaftohet vetëm me lehjet e zagarëve të mirëushqyer, që kafshojnë çdokënd që “shqetëson” Kryeministrin…. (marrë nga portali 360gradë.al)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here