Analisti amerikan propozon përsëritjen e zgjedhjeve lokale në Shqipëri

0
Analisti amerikan propozon përsëritjen e zgjedhjeve lokale në Shqipëri

Analisti David Philips propozon përsëritjen e zgjedhjeve lokale në Shqipëri si e vetmja mënyrë që vendi të dalë nga situata e pazakontë në të cilën ndodhet. Sipas tij procesi i 30 qershorit ishte një farsë zgjedhore, pa mundësi zgjedhjeje, e tipit që do të organizonte një parti-shtet. Analisti propozon gjithashtu edhe një rishikim të qasjes së administratës amerikane ndaj Shqipërisë, për të cilën thotë se ka mbyllur sytë përballë problemeve reale që po kalon vendi.

Njohësi i çështjeve të Ballkanit analisti David Philips, ka një qëndrim tejet kritik mbi mënyrën se si u mbajtën zgjedhjet vendore në Shqipëri, prej qasjes së mazhorancës tek roli i opozitës. Ai thotë se 30 qershori nuk ishte tregues për një vend demokratik, shkruan “Zëri i Amerikës”.

“Këto nuk ishin zgjedhje të lira e të ndershme, nuk kishte zgjedhje. Këto janë zgjedhje të llojit që do të organizonte Ramiz Alia dhe Enver Hoxha. Shqipëria është kthyer në një vend me një parti shtet. Nuk ka mendim ndryshe. Nuk ka asnjë mundësi për opozitën për të shprehur pikëpamjet e saj”.

Sipas zotit Phillips opozita duhet të hyjë në dialog me kryeministrin Edi Rama duke propozuar përsëritjen e zgjedhjeve si dhe të përcaktohen kushtet nën të cilat ky proces do të zhvillohet.