A duhet të kemi frikë për një tjetër aleancë PS-LSI?

0
Presidenti Meta takohet me kreun e Kuvendit Ruçi

Presidenti Ilir Meta duket se pas dëshmisë në Komisionin Hetimor para deputetëve të opozitës dhe maxhorancës, ka zgjedhur kreun e Kuvendit Gramoz Ruçin për të diskutuar mbi rrugët e daljes nga kriza politike, në të cilin venid është përfshirë që pas djegies së mandateve të deputetëve të opozitës.

Gramoz Ruçi duket të jetë pika e takimit mes Ramës dhe Metës, dhe për shkak të eksperiencës së tij në skenën politike shqiptare. Kryeparlamentari u shfaq dhe në festimet e 15-vjetorit të themelimit të LSI-së, lëvizje e cila u interpretua jo pak si një hap përpara drejt krijimit të një aleance të re mes PS-së dhe LSI-së.

Meta ka zgjedhur të publikojë një foto, ku shfaqet edhe kryeministri Edi Rama, i cili është në plan të dytë, ndërkohë që presidenti dhe kryeparlamentari Ruçi shihen se kanë gjetur rrugën e bisedimeve së bashku.

Në një postim në Facebook, Meta ka zbardhur sot se çfarë u diskutua ditën e djeshme me kryetarin e Kuvendit, ndërkohë që shton se “cilësia është më e rëndësishme se sasia, për të udhëhequr ndryshimin e një shoqërie, edhe kur “sasia” duket fuqiplotë.”, duke nënkuptuar maxhorancën.

“Ishte kënaqësi dje të rikthehesha në Kuvend. Po kështu të shkëmbeja disa mendime dhe kujtime me Kryetarin e Kuvendit z.Gramoz Ruçi. Së bashku ramë dakord se dy grupet parlamentare më cilësore opozitare kanë qenë ai i PD në ’91-’92 dhe ai i PS në ’92-’96. Kjo më përforcon bindjen se në demokraci, cilësia është më e rëndësishme se sasia, për të udhëhequr ndryshimin e një shoqërie, edhe kur “sasia” duket fuqiplotë.”- shkruan Meta.

Ditën e djeshme presidenti Ilir Meta dëshmoi para Komisionit Hetimor, në lidhje me dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit. Pas përfundimit të dëshmisë, Meta së bashku me tre këshilltarët e tij u takua me kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçin, pasi u ftua nga ky i fundit.